Presidenti i vendit Ilir Meta ka shpërndarë në rjetin social facebook një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë.
Teksa cilëson vlerat dhe kontributet e Berishës si një aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, Meta i shpreh ngushëllimet familjarëve dhe miqëve të tij.
Postimi i plotë i presidentit Meta:
Me hidhërim mora lajmin për largimin nga jeta të z.Kolë Berisha, politikanit të urtë dhe vizionar të Kosovës, deputet në disa legjislatura dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova.
Është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe kolegët, të cilëve ju shpreh ngushëllimet më të thella!
Aktivist i palodhur në shërbim të çështjes kombëtare, angazhimin jetësor të Kolë Berishës nuk e ndalën as persekutimet dhe burgosjet, për të spikatur si ish-Kryetar Kuvendi dhe ish-deputet, me kontributin e tij përherë të respektuar për konsolidimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.
Urtësia, veprimet e matura dhe të mençura politike të Bacës Kolë do të kujtohen gjithmonë me nderim!
Të prehet në paqe!