Murtaza Ahmadi, djali afgan, imazhi i të cilit u bë viral në vitin 2016 kur ai veshi një fanellë të Lionel Messit të bërë nga një qese plastike, dëshiron të largohet nga Afganistani teksa jeton nga frika e talebanëve.
Murtaza , tani 10 vjeç, jeton në Kabul, ku familja e tij u arratis pasi talibanët sulmuan fshatin e tyre, por tmerri vazhdon t’i shoqërojë edhe në kryeqytet.
“Unë jam i bllokuar në shtëpi dhe nuk mund të dal jashtë sepse jam i tmerruar nga talebanët,” tha djaloshi 10-vjeçar për agjencinë e lajmeve Efe. “Dua të udhëtoj në një vend të sigurt larg Afganistanit. Ju lutem më shpëtoni nga kjo situatë.”
Murtaza dhe familja e tij i përkasin pakicës Hazara Shia e cila po përndiqet nga talebanët dhe motra e tij, 22 vjeçe, shpjegoi kërcënimin me të cilin përballen.
“Çfarë do të ndodhë me ne? Ne jemi tashmë nën kërcënim,” tha Mahdia Ahmadi . “[Tani] ne nuk kemi [policë ose ushtarë që na mbrojnë] dhe sa herë që troket në derë, atëherë Murtaza mendon se janë talebanët dhe vrapon drejt meje ose nënës sime për t’u fshehur.”
Fama e fotove virale të Murtaza bëri që ai të takonte idhullin e tij, Mesin , por familja e tij shpjegoi se kjo i solli telashe kur u kthyen në Afganistan nga Katari pasi njerëzit menduan se u ishin dhënë para. Ata morën kërcënime dhe madje kishin frikë se djali i ri do të rrëmbehej.