Në mes të trafikut disa automjete në autostradën Tiranë-Durrës kanë gjetur hapësira për të kaluar limitet e shpejtësisë duke u kthyer në rrezik për veten dhe të tjerët. Policia e Shtetit bën me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në orët e mbrëmjes, janë konstatuar automjete me shpejtësi deri në 159 km/h.

Kështu janë pezulluar 9 leje drejtimi si dhe janë vendosur 26 gjoba për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra në rrugë. Ndërkohë një prej shoferëve i cili është kapur duke udhëtuar me shpejtësi 144 km/h, ishte shpallur në kërkim nga policia në Durrës pasi ishte larguar nga vendi i aksidentit.

https://youtube.com/watch?v=pOaw6HBu9Us%3Ffeature%3Doembed

Njoftimi i policisë

Vijon monitorimi me radar i qarkullimit të automjeteve në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë.

Policia Rrugore e Tiranës, po vijon kontrollet e pandërprera 24/7 me në rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjatë orëve të mbrëmjes, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varonin nga 130 km/h deri në 159 km/h, ku në rrugë trafiku ishte ende shumë i lartë.

Si rezultat i monitorimit janë pezulluar 9 leje drejtimi, për shpejtësi tej normës së lejuar.

Janë vendosur 26 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative maksimale me vlerë 40.000 lekë të rinj, pasi drejtuesit e mjeteve ishin rezident në një shtet tjetër.

Një prej drejtuesve të mjeteve të konstatuar me shpejtësi 144 km/h ishte i shpallur alert nga DVP Durrës pasi ishte larguar nga vendi i aksidentit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, dhe nga Korça deri në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparatë fotografik.

m.v/abcnews.al