Rreth 300 kg kokainë u sekuestrua në portin e Durrësit më 18 qershor të këtij viti. Sasia rekord e lëndës narkotike ishte fshehur në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut, që po kalonte transit drejt Italisë.
Megjithatë duket se rrjetës së policisë i ka shpëtuar të paktën një ngarkesë e lëndës narkotike. Kjo pasi nëntë pako me kokainë, të cilat kishin të njëjtin paketim “Dior” me ato të Durrësit në qershor, u kapën dje në Vërmicë.
Mbrëmjen e shtatë shtatorit në pikën kufitare të Vërmicës, autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me ato shqiptare kapën një sasi prej 9 kg kokainë që po transportohej nga dy shqiptarë.
Mediat në vend raportojnë se rreth orës 21:45 në këtë pikë kufitare mbërriti një automjet me targa të Shqipërisë, në të cilën gjendeshin dy shtetas shqiptarë. Pas dyshimeve të ngritura, automjeti është zgjedhur për kontroll.
Makina u dërgua në vijën e dytë të kontrollit dhe aty, imazhet e skanimit kanë dhënë indikacione për hapësirë të fshehur post-fabrikat nën ulësen e pasme. Pas hapjen së sediljes së pasme u gjetën nëntë pakot “Dior”. Në pranga u vunë dy shqiptarët që ndodheshin në automjet.
Kokaina e sekuestruar në Durrës në qershor vinte nga Amerika Latine dhe pakot kishin logo të ndryshme si “Chicago Bulls”, “Kenzo”, “Dior” apo “PSG”. Mesa duket, disa prej tyre kanë arritur që t’i shpëtojnë skanimit të autoriteteve dhe tashmë qarkullojnë nëpër vend. /abcnews.al