Ambasada gjermane në Tiranë ka zbardhur axhendën e kancelares Angela Merkel, gjatë vizitës që ajo do të ketë në vendin tonë të martën e 14 Shtatorit. Me mbërritjen e saj në Tiranë Merkel do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas do të jetë e pranishme në forumin me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në axhendë parashikohen takime dypalëshe me përfaqësues të të gjitha shtetet të BP-së me përjashtim të Serbisë, e cila zakonisht në këto takime përfaqësohet nga kryeministrja Brnabic.

Njoftimi i ambasadës gjermane:

Kancelarja Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë të martën, më 14 shtator.

Në Tiranë ajo do takohet fillimisht për një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në.

Në bisedimet e mëpasme me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.