Kryeministri Edi Rama në vendimet e para të qeverisë së tretë që do të drejtohet prej tij, ka zgjedhur që të punësojë në strukturat e ministrisë së mbrojtjes dy sportistet që fituan medalje të artë për Kosovën, në lojërat olimpike të ‘Tokio 2020’.
Padyshim një vendim ky që më shumë se ka rëndësi për vetë sportistet, të cilat nuk dihen nëse do të pranojnë detyrën, ka për qëllim shoë dhe protagonizmin mediatik të Ramës, këtej dhe andej kufirit.
Vendimi për punësimin e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit:
PUNËSIMIN NË STRUKTURAT E MINISTRISË SË MBROJTJES TË ZNJ. DISTRIA KRASNIQI DHE ZNJ. NORA GJAKOVA, FITUESE TË MEDALJEVE TË ARTA NË LOJËRAT OLIMPIKE VERORE “TOKIO 2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Fillimin e procedurave për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes të znj. Distria Krasniqi dhe znj. Nora Gjakova, fituese të medaljeve të arta në Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”, për performancën e shkëlqyer në arenën ndërkombëtare sportive, për përfaqësimin dinjitoz, nëpërmjet një arritjeje mbarëkombëtare suksesi dhe talenti të sprovuar.
- Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.