Bashkëpunimi ekonomik Serbi-Turqi dhe çështjet rajonale në lidhje me Ballkanin dominuan takimin midis Presidentëve Rexhep Tajip Erdogan dhe Aleksandër Vuçiç. Presidenti i Serbisë po zhvillon një vizitë një ditore në Stamboll.
“Miqësia midis Beogradit dhe Ankarasë është një garanci shtesë për stabilitetin e rajonit” tha Aleksandër Vuçiç për mediat serbe pas takimit të tij me Erdoganin.
Ai tha se investimet turke në Serbi, zbatimi i projekteve të infrastrukturës të financuara nga Turqia, siç është autostrada Beograd-Sarajevë, dhe çështjet që lidhen me rritjen e stabilitetit në rajonin më të gjerë të Ballkanit ishin në fokus.
Vuçiç vuri në dukje se Serbia i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Turqinë si dhe njoftoi vizitën zyrtare të Erdoganit në Serbi.
“Deri në fund të vitit, Erdogan do të bëjë një vizitë zyrtare në Serbi dhe më pas do të kemi mundësinë të diskutojmë më tej çështje të rëndësishme për Ballkanin dhe rajonin në tërësi. Turqia është një fuqi e madhe rajonale” tha Aleksandër Vuçiç.
Presidenti i Serbisë pranoi drejtpërdrejt rolin rregullator që Ankaraja ka në marrëdhëniet midis bashkësive etnike në Ballkanin Perëndimor. “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve të mira me Turqinë garanton sigurinë tonë, pasi Turqia është një superfuqi në rajon dhe ne duhet të sigurojmë paqen.
Kjo na ndihmon të krijojmë një marrëdhënie më racionale dhe më të mirë me myslimanët e grupeve të ndryshme, me boshnjakët dhe të gjithë të tjerët në zonën tonë, dhe pjesërisht me shqiptarët.
Këto janë gjëra të rëndësishme për ne” tha Vuçiç pas takimit të tij me Erdoganin në Stamboll.