Burime nga Partia Demokratike shprehen për faxëeb.al se kjo e fundit nuk është e interesuar në ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi që ka të bëjë kryesisht me zgjatjen e afateve të organeve të vetingut.
Reagimi vjen menjëherë pas një shkrimi të deputetit të Oerd Bylykbashit i cili zbulon se mes Ramës dhe Bashës po përgatitet një marrëveshje e tipit ‘të jap kalë, më jep mushkë’ ku Basha do i japë mazhorancës votat për zgjatjen e këtyre afateve në këmbim të reformës territoriale ose ‘lënies së disa bashkive për të djathtën.
Këto zëra brenda PD-së bëjnë me dije se 2 janë prioritetet që kjo parti ka për zbatim në Kuvend siç është reforma territoriale dhe ajo zgjedhore “Reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike, dhe që fatkeqësisht ju prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtar. Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, bëjnë të ditura burimet.
Deputeti Bylykbashi prej disa ditësh është shfaqur publikisht në krah të ish- kryeministrit Berisha në ‘foltoren’ që ka nisur ai në të gjithë vendin pas largimit të këtij të fundit nga kryetari Lulzim Basha.
Berisha ka shpallur nismën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për të hedhur në votë vendimmarrjen e kryetarit të cilin dhe e ka cilësuar si pengu i Edi Ramës duke i dhënë mandatin e tretë të qeverisjes.