Gjykata për të drejtat e Njeriut në Strasburg, ka dhënë vendim për padinë e 2 shtetasve shqiptarë, të cilët prej vitesh ndiqnin odisenë e tyre gjyqësore në gjykatat shqiptare pa marrë nje vendim të formës së prerë.
Shtetasit Petrit Bara dhe Eduard Kola kishin ankimuar rastin e tyre në gjykatën europiane për të drejtat e njeriut, ku dhe më pas detyrohet shteti shqiptar që t’iu japë atyre një dëmshpërblim prej 1200 dhe 2300 euro, për shkak të vonesave që konsiderohen të pajustifikueshme nga ana e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupa e gjykatësve, çka i hap rrugë një precedenti të rrezikshëm për shtetin shqiptar, ku llogaritet që të paktën 70 mijë dosje janë zvarritur nëpër Gjykata.
Edhe pse në vendimin e asyetuar të Strasburgut theksohet se Shqipëria është duke kryer procesin e Reformës në Drejtësi, rastet e Barës dhe Kolës, sipas tyre mund të kishin marrë nhjë përgjigje në kohë më të shpejtë.
”Në vitin 2016 Shqipëria prezantoi reforma gjithëpërfshirëse të të gjithë sistemit të drejtësisë të cilat çuan në ndryshime të Kushtetutës dhe organizimit dhe funksionimit të gjykatave më të larta në vend, siç është Gjykata e Lartë, përfshirë mënyrën në të cilën gjyqtarët e saj do të zgjidheshin nga institucione të ndryshme, dhe hapi rrugën për verifikimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë.
Megjithatë, edhe para fillimit të procesit të verifikimit, Gjykata e Lartë kishte grumbulluar vonesa dhe një numër të konsiderueshëm çështjesh. Për më tepër, midis majit 2019 dhe marsit 2020, atij i mungonte kuorumi ligjor i kërkuar për të marrë një vendim”, thuhet mes të tjerave në vendimin e Gjykatës së Strasburgut.
Petrit Bara është doktor dhe profesor në Universitetin e Mjekësisë në prill të vitit 2016, i cili garoi për të marrë postin e rektorit të Universitetit të Tiranës, dhe ka pasur pretendime për procedurën e zgjedhjeve e çoi çështjen deri në Gjykatën e Lartë për të bërë më pas sërish ping pong në shkallë e tjera pa pasur një vendim final. Dhe për këtë rast GjeDNJ ka drejtuar sërish gishtin tek Reforma në Drejtësi duke cilësuar mospasjen e kuorumit të nevojshëm për të shqyrtuar dosjet.
Ndërkohë Eduard Kola është një i dënuar për vrasje me paramendim, i cili ka pretendime në lidhje me zgjatjen e afateve të paraburgimit. Strasburgu kërkon nga Gjykata e Lartë që të veprojë më shpejt në lidhje me dosjet, dhe me funksionimin normal të seancave.
Në përfundim të dy çështjeve trupa gjyqësore e GjeDNJ ka dalë unanimisht në konkluzionin se në të dyja rastet është kryer shkelje me këto afate duke dënuar me gjobë shtetin shqiptar 1200 euro për rastin e Petrit Baras dhe 2300 euro për rastin e Eduard Kolës duke krijuar kështu dhe precedent për hapjen e çështjeve të tjera në këtë gjykatë nga subjekte të cilët prej vitesh zvarriten dyerve të gjyqësorit nën hijen e rëndë të reformës në drejtësi.