Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në takimin që ka pasur me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken kanë shprehur në një deklaratë të përbashkët përkrahjen për integrimin euro-atlantik të Kosovës.
“Greqia dhe ShBA-ja të dyja vazhdojnë ta përkrahin fuqishëm integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe theksojnë rëndësinë e fillimit urgjent të negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut sipas kushteve të përcaktuara”, – thuhet ndër të tjera në deklaratën e përbashkët të dy shteteve.
Njohja e mundshme e pavarësisë së Kosovës nga Greqia është përfolur shumë kohëve të fundit pas vizitave të shkëmbyera mes kryediplomatëve të të dyja shteteve.
Diplomati grek, Alexandros Mallias në një opinion të tij para disa javëve është shprehur se intensifikimi i raporteve mes Prishtinës dhe Athinës mund të finalizohen me njohje.
Greqia përbën njërën nga 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe njohja nga Greqia mund ta nxis edhe njohjen nga Qipro, shtet tjetër i BE-së që nuk e njeh Kosovën.