Një çift të moshuarish po përballën në mes të dimrit me një prej situatave më të vështira në jetë. Banesa në fshatin Obot u shkrumbua duke i lënë në qiell të hapur, ndërsa ata ndodheshin në spital. Në pamundësi, bëjnë thirrje për ndihmë.
Ndërsa po merrte ndihmën mjekësore në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës, një telefonatë i njoftoi çiftin e të moshuarve Liza dhe Loro Gocaj se shtëpia e tyre në Obot ishte përfshirë nga flakët.
“Kam shkuar për tu vizituar në Shkodër, më morën në telefon dhe më thanë se po më digjej shtëpia. Erdhëm në shtëpi e gjetëm gjithçka shkrumb,” tha Liza Gocaj, kryefamiljare.
Pas një nate të kaluar në spital, mëngjesi i gjeti këto dy të moshuar me sytë nga qielli si streha e re e tyre dhe mes gërmadhave që la pas zjarri.
Prindër vetëm të 3 vajzave, të martuara dhe në kushte jo të mira ekonomike, mes lotësh në sy kryefamiljarja apelon për ndihmë.
“Të na ndihmojë Zoti tani, s’kam çfarë të them me këtë stres që kam. Jemi të sëmurë. Vajza me një dhomë është,” tha zonja Gocaj.
Ende shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar nga grupi hetimor, ndërsa këto të moshuar shpresojnë tek ndihma e çdokujt që mund t’u gjendet pranë.