Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar këtë të hënë Zv.Kryeministren njëkohësisht dhe Ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.
Në takimin e zhvilluar, u diskutua për rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si dhe domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial dhe shtetëror.
Lulzim Basha:
“Kënaqësi të mirëprisja sot Zv. Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, të cilës i shpreha urimet ndaj qytetarëve dhe forcave politike për mbajtjen e zgjedhjeve model në Kosovë. Një leksion demokracie edhe për Shqipërinë.
Ndamë mendime të njëjta mbi rëndësinë që ka dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, unitetin politik me të cilin Kosova duhet të përfaqësohet në këtë dialog. Mbyllja e dialogut me njohje respektive është interesi i gjithë rajonit. Kontributi i parë që BE, mund të japë në dialog është të bindë 5 vendet anëtare ta njohin Kosovën.
Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë se interesat e Kosovës në marrëdhëniet rajonale. Sikurse kanë treguar zhvillimet e fundit, nisma e Novisadit është konceptuar si makiazh i imazhit të Serbisë, ndërsa Beogradi, siç dëshmojnë ngjarjet e këtyre javëve, nuk ndahet nga fantazmat e së kaluarës duke risjellë platforma si ajo e Botës Serbe.
Po ashtu diskutuam mbi Luginën e Preshevës, për pasivizimin e adresave dhe diskriminimin që u bëhet shqiptarëve, për të cilët shpreha bindjen time se është detyrë e Shqipërisë, të mbrojë dhe mbështesë fuqimisht interesat e bashkëkombasve tanë në Luginën e Preshevës dhe Serbi”