Dukej se marrëdhënia mes princit Harry, Meghan dhe familjes mbretërore ishte ‘qetësuar’ pas lindjes së princeshës Lilibet Diana, por ndodhitë e fundit po na tregojnë krejt të kundërtën. Prej disa ditësh në shtypin anglez po qarkullojnë lajme se mbretëresha Elizabeth është lodhur nga veprimet e Meghan, e fundit është letra e saj publike drejtuar Kongresit Amerikan, dhe po mendon të ndërmarrë hapa ligjorë për ta ndaluar.
Por 95-vjeçarja nuk është e vetmja e pakënaqur në familje, sipas “The Telegraph” Camilla Parker-Bowles është shumë e acaruar me Meghan dhe nuk mund ta falë për dhimbjen që i ka shkaktuar princit Charles.
Marrëdhënia mes Camilla-s dhe Meghan Markle
Nëse këto thashetheme rezultojnë të vërteta, do të ishte një goditje e rëndë për Meghan dhe Harry-n, sepse dukesha e Cornwall-it ka qenë gjithmonë një mbështetje e madhe për ta. Në kohën e fejesës dhe dasmës mbretërore, tabloidët anglezë e përshkruanin Camilla-n si një lloj shtylle për Meghan, ndoshta sepse gruaja e dytë e princit Charles e dinte shumë mirë se çfarë do të thoshte të jesh e papranuar dhe sa i pamëshirshëm mund të ishte shtypi në këtë rast.
Mirëpo pas largimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka solli edhe ftohjen e princit Harry me të atin, gjërat kanë ndryshuar për keq dhe Camilla është e lodhur dhe e acaruar me të citojnë burime të afërta pranë saj.