Fermerët në të gjithë vendin po protesojnë prej disa javësh duke kërkuar dëmshpërblim për farën e keqe të domates së aplikuar këtë sezon, por Ministria e Bujqësisë i fajëson vetë ata për dështimin. Shefi i sektorit të testimit të farërave shpjegon se kontrollet janë kryer sipas procedurave edhe këtë vit, ndërkohë që kushtet në sera dhe moti nuk kanë favorizuar prodhimin.
Ministria e Bujqësisë bën fajtorë fermerët për dështimin me farën e domateve të aplikuar këtë sezon.
Shefi i sektorit të testimit të varieteteve të reja në entin e farërave, Vlash Tirana, radhit disa nga probleme që mund të kenë sjellë këtë situatë, ndërsa shton se kushtet në sera nuk janë të përshtatshme.
“Një sipërfaqe toke e mbuluar, që është punuar vetëm 10 centimetra, aty është mbjellë për 10 vjet rresht e njëjta domate në të njëjtën serë. Ku është qarkullimi bujqësor?”
Një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar në këtë dështim është edhe përdorimi i hormoneve për domatet.
Duke ju referuar protokollit, zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë shpjegon se farërat për të cilat ankohen fermerët nuk janë mbjellë në kohën e caktuar.
“Ajo domate duhet mbjellë në vjeshtën e hershme, që i bie të mbillet në gusht, ajo është mbjellë në korrik.”
Por a do të ketë dëmshpërblim nga shteti për këtë situatë që po kalojnë fermerët?
“Është bërë një kontratë ligjore që çfarëdo të ndodhë nga këto, duhet të përgjigjet edhe personi edhe kompania që grumbullon prodhimin. Nuk ka pse të përgjigjet shteti në këtë punë, kur ajo është marrëdhënie dy palëshe.”
Vlash Tirana sqaron se farërat hibride që janë importuar në Shqipëri nuk kanë pasur asnjë problem dhe kanë qenë ta pajisura me dokumentacionin e nevojshëm.
Ai thotë se është bërë edhe testimi për fuqinë mbirëse nga e cila ka rezultuar 99% efikase.
Këtë vit në Shqipëri kanë hyrë 4 mln fara hibride të këtij lloji, nga të cilat janë mbjellë 100 ha me domate.
Ndërkohë fermerët në zonën e Fierit dhe të Lushnjes kanë protestuar disa javë radhazi duke kërkuar dëmshpërblim pasi fara e domates e këtij viti i ka dëmtuar si në aspektin sasior dhe në atë cilësor, për shkak se prodhimi mbeti pa u shitur.