Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të shtunën se i kishte thënë ministrisë së jashtme të dëbonte ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe nëntë vendeve të tjera perëndimore për shkak të kërkesës për lirimin e filantropistit Osman Kavala.
Shtatë nga ambasadorët përfaqësojnë aleatët e Turqisë në NATO dhe nëse bëhen dëbimet, do të përbënin çarjen më të thellë me Perëndimin gjatë 19 viteve në pushtet të Erdoganit.
Zoti Kavala, një kontribues i disa grupeve të shoqërisë civile është në burg prej katër vitesh, i akuzuar për financimin e protestave mbarëkombëtare në vitin 2013 dhe për përfshirje në një grusht shteti të dështuar në vitin 2016. Ai ka mbetur në paraburgim ndërsa gjyqi i tij vazhdon dhe i mohon akuzat.
Në një deklaratë të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara bënë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës, dhe për “lirimin e tij urgjent”. Ata u thirrën nga ministria e jashtme turke, e cila e quajti deklaratën të papërgjegjshme.
“I dhashë urdhrin e nevojshëm ministrit tonë të jashtëm dhe i thashë se çfarë duhet të bënte: Këta 10 ambasadorë duhet të shpallen menjëherë të padëshiruar. Do ta zgjidhni këtë menjëherë,” tha zoti Erdogan në një fjalim.
“Ata duhet ta njohin dhe ta kuptojnë Turqinë. Në momentin që nuk e njohin dhe nuk e kuptojnë Turqinë, ata do të largohen,” tha ai mes brohoritjeve nga turma në qytetin veriperëndimor Eskisehir.
Ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës dhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk u janë përgjigjur ende kërkesave për koment.
Presidenti Erdogan kishte thënë më parë se planifikon të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden në një takim të nivelit të lartë të G20-ës në Romë fundjavën e ardhshme.
Ministria e Jashtme norvegjeze tha se ambasada e saj në Ankara nuk kishte marrë informacion nga autoritetet turke në lidhje me këtë çështje.
“Ambasadori ynë nuk ka bërë asgjë që të justifikojë dëbimin,” i tha agjencisë Reuters në një deklaratë të dërguar me email shefja e komunikimit e ministrisë, Trude Maaseide, duke shtuar se Turqia e njihte mire pikëpamjen e Norvegjisë për këtë çështje.
“Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Turqisë që të respektojë standardet demokratike dhe shtetin ligjor, për të cilat vendi është angazhuar sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” tha zonja Maaseide.
Akuzat ndaj zotit Kavala në lidhje me protestat e vitit 2013 u rrëzuan vitin e kaluar, por vendimi u përmbys këtë vit, duke iu shtuar edhe akuza për një rast tjetër në lidhje me tentativën për grusht shtet.
Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rasti i tij është në vazhdën e goditjeve ndaj kundërshtarëve nën presidentin Erdogan.