Monedha turke ka zbritur në nivelin më të ulët kundrejt dollarit, pak orë pasi presidenti Rexhep Taip Erdoan urdhëroi dëbimin e 10 ambasadorëve nga vendi.
Lira u zhvlerësua me mbi 2 për qind ditën duke kapur vlerën 9,85 lira për dollar në bursat aziatike, dhe rreth 25 për qind më pak nga fillimi i vitit.
Një luftë diplomatike me Perëndimin mund të krijojë një hendek investimesh të huaja dhe pasigurish financiare.
“Ndjehem vërtet keq për vendin tim. Shpresoj shumë të mos bëhet aq keq sa ç’kemi frikë, por jam e bindur se na presin ditë të vështira.”
“Dollari shumë i lartë e ngadalëson ekonominë tonë. Pronarët e dyqaneve po derdhin sot gjak, jo lotë. Dollari i lartë do të shkaktojë papunësi.”
Të shtunën, presidenti Erdoan udhëzoi Ministrinë e Jashtme turke të shpallë “non-grata” ambasadorët e Amerikës dhe 9 shteteve perëndimore që kërkuan lirimin e biznesmenit dhe aktivistit Osman Kavala.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka kritikuar mbajtjen e tij në burg pa u gjykuar dhe me akuzat e pabaza të tentativës për grusht shteti.
Kundërshtarët politikë thanë se dëbimi i diplomatëve është përpjekje për të hequr vëmendjen nga vështirësitë ekonomike që po kalon Turqia.