Sot Austria është rikthyer në karantinë të plotë kombëtare, ndërsa protestat kundër kufizimeve të reja që synojnë frenimin e infeksioneve të Covid-19 janë përhapur në të gjithë Evropën.
Nga mesnata e ditës së sotme (22 nëntor), austriakëve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia, ndërsa dyqanet jo-esenciale janë mbyllur.
Kufizimet e reja kanë shkaktuar protesta në të gjithë Evropën. Qytetarët janë përleshur me policinë në Holandë dhe Belgjikë.
Shkalla e infeksionit është rritur ndjeshëm në kontinent, duke nxitur paralajmërime nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Të shtunën, drejtori rajonal i OBSH-së, Dr Hans Kluge, i tha BBC-së se nëse masat nuk forcohen në të gjithë Evropën, siç janë vaksinat dhe vendosja e maskave, deri në pranverën e ardhshme mund të regjistrohen më shumë se gjysmë milioni vdekje të tjera.
Europa në rrezik nga Covid, OBSH: 500 mijë viktima deri në mars nëse nuk merren masa
Javën e kaluar Austria u bë vendi i parë evropian që e bëri vaksinimin kundër Covid me detyrim, një ligj që do të hyjë në fuqi në shkurt të 2022. Politikanët në Gjermaninë fqinje po debatojnë për masa të ngjashme pasi njësitë e kujdesit intensiv janë tejmbushur, me numrat e rasteve që kanë arritur shifra rekord.