Kryeministri Edi Rama prezantoi për herë të parë një plan ku kërkoi bizneseve të vogla të punësojë njerëz me ndihmë ekonomike.
Gjatë prezantimit të paketës fiskale me një përfaqësi të biznesit të vogël, kreu i qeverisë tha se rroga do të paguhet gjysmë nga biznesi dhe gjysma tjetër nga qeveria. Rama tha se kjo mënyrë u heq njerëzve varësinë nga ndihma ekonomike duke pranuar se është vetëm për të mbijetuar.
“Do të kërkojmë aleancë nga biznesi për të punësuar persona që janë me ndihmë ekonomike dhe t’ia kalojnë si pjesë page ndihmën ekonomike. Që do të thotë shteti paguan pjesën që mbulon ndihma ekonomike, ndërsa pjesën tjetër të pagës e paguan biznesi. Bëhet fjalë për persona që kanë kushte të mira fizike e gjendje të mirë shëndetësore. Në këtë mënyrë u heqim njerëzve varësinë ndaj ndihmës ekonomike që është vetëm për të mbajtur frymën gjallë e për asgjë tjetër”, tha Rama.