Banorët e lagjes “Shënkoll” në Elbasan janë ngritur sot në protestë për mbifaturimin e faturave të ujit të pijshëm.
Sipas tyre për sa kohe kanë sahat në banesa nuk është e drejtë të paguajnë më shumë sesa konsumojnë.
“51 mijë lekë nuk kam paguar asnjëherë. Erdha këtu u interesova, më dha një formular dhe më tha shko se do dërgojmë faturistin. Erdhi faturisti tha shiko numrin e fundit të sahatit. Unë shkova te qendra e madhe “më tha i ke konsumuar.” Unë tha faturisti jam në rregull, nuk e di çfarë kanë bërë të tjetër, mbase ka prapambetje. Po çfarë prapambetje? Unë s’kam paguar asnjëherë 51 mijë lekë,’ thotë qytetari.
“Ne jemi gjithë pensionista, kjo është mospërfillje. Ka dhe një problem tjetër se këta caktojnë njerëz që nuk janë të aftë për të regjistruar ujin, duhet të mendohesh mirë që t’i shkosh tjetrit se sahati. Ne nuk kemi mundësi, ata do i rrisin tarifat. E zëmë se faturisti bëri gabim, si nuk shqetësohen këta? Ata janë njerëz që paguhen në kurrizin tonë, dhe të mos kenë respekt për ne? Kjo është një dobësi që nga drejtori dh të gjithë punonjësit e ndërmarrjes së ujit.”
“Jemi mbledhur këtu sepse jemi një lagje e tërë që na ka ardhur një faturë shumë e rëndë për ujin. Ne paguajmë çdo muaj dritat e ujin. Në datën 24 nëntor do paguaja lekët për tetorin. Më tha zonja paske një prapambetje shumë të madhe, 284 mijë lekë. U ftoha një çikë, pastaj mblodha veten. Erdhi faturisti tha se kam bërë unë, ja u kanë bërë këta.
Te indinjuar kërkojnë zgjidhje nga drejtuesit e ndërmarrjes.
Ndërkohë sipas drejtorit të UKE-së, dy punonjës nuk e kanë bërë detyrën siç duhet. Qytetarët i kanë të akumuluara këto kamatvonesa dhe janë të detyruar t’i paguajnë për shkak se ato janë të vendosura në sistem.
“Kemi marrë kontakt me banorët, ka ndodhur një fenomen i tillë që 1 apo 2 punonjës nuk e kanë kryer detyrën si duhet. Nuk i kanë shkruar si duhet, por ka pasur raste që faturat janë shkruar nga shtëpia, pa shkuar fare në terren. Ne kemi marrë masa, kemi larguar punonjësit që nuk kanë kryer detyrën dhe kemi vendosur punonjës të tjerë. Punonjësi tjetër ka bërë detyrën që duhet dhe ka shkruar numrin ashtu si është në sahat. Jam shumë dakord me qytetarët dhe me shqetësimin e tyre pasi janë shumë të rregullt me pagesat e tyre.”
Drejtori i UKE-së, Aurel Kaja thotë se do marrin masa dhe pjesa që ka mbetur e akumuluar të ndahet me këste në mënyrë që mos të rëndojnë qytetarët.
“Çfarë është në sistem do paguhet,” tha ai.
/Egnatia news