Një atentat me mina me telekomandë që po “gatuhej” në Lezhë me shënjestër një person në Tiranë është parandaluar nga policia e Lezhës. Nga hetimet ka rezultuar se dy persona Edmir Vlashi, 31 vjeç dhe Hektor Ndoka, 31 vjeç të shpallur në kërkim nga policia kishin planifikuar kryerjen e atentatit për shkak të konflikteve si pasojë e prishjeve të pazareve të drogës jashtë vendit.

Ata kishin përgatitur si bazë për fshehjen e armatimit dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal banesën dhe restorantit e Nikoll Marku 60-vjeç  i cili është arrestuar nga policia bashkë me të shoqen Marie Marku, 60 vjeçe. Në pranga bashkë me ta është vënë edhe dhëndri i tyre Mark Lamkja pasi ka tentuar të fshehë provat që janë gjetur gjatë operacionit të uniformave blu. Ky i fundit rezulton i dënuar më parë në Itali për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë operacionit policia ka sekuestruar 2 minat me telekomandë që do të përdoreshin për atentatin, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë, si dhe 88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Tashmë armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se këto armë janë përdorur edhe në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura më parë.

Të arrestuar

Mark Lamkja, 27 vjeç

Nikoll Marku, 62 vjeç

Marie Marku, 60 vjeçe

Janë shpallur në kërkim

Edmir Vlashi,  31 vjeç

Hektor Ndoka, 31 vjeç

Armët dhe mjetet e sekuestruara

2 armë automatike me shënjestër optike,

2 kallashnikovë,

1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra,

1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë,

fishekë luftarak,

kapsolla detonatore,

fitil zjarrrpërcejllës,

1 armë gjahu,

2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë,

2 skafandra motori

 1 automjet

m.v/Abcnews.al