Ish-kryedemokrati Sali Berisha ka mbajtur nëj fjalim me tone të forta në Kuvendin që është duke u mbajtur në stadiumin Arena Kombëtare, ku falenderoi fillimisht të gjithë pjesëmarrësit dhe më pas sulmoi Lulzim Bashën.

Sipas Berishës, Basha ka qenë i përulur përballë Ramës, ndërkohë që PD-së i duhet të luftojë një prej mafieve më të rrezikshme, atë të George Sorosit.

Fjala e Berishës në Kuvendin Kombëtar:

Të dashur delegate dhe delegatë, të Kuvendit më madhështor, më të bukur, më triumfues, më mahnitës, në historinë e pluralizmit shqiptar në këto 30 vite. Kuvendit që mblidhet si monument i lirisë së shqiptarëve, Kuvendit që mblidhet si monument i rithemelimit të PD-së, Kuvendit që mblidhet si monument madhështor i rithemelimit të PD-së, të parit Kuvend në histori që mblidhet si kult i anëtarit të lirë të PD-së.

Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, ju përshëndes nga kjo platformë, ku ne vendosim rithemelimin e PD, që ta shndërrojmë atë në partinë e vlerave konservatore, në Partinë e idealeve tuaja, në partinë e integrimeve euroatlantike, në forcën politike që nesër në pushtet do të ketë në qendër qytetarin shqiptar.

Në forcën politike që nesër në pushtet do të rivendosë në shoqëri, liritë dhe të drejtat e njeriut, dinjitetin, familjen, ekonominë e tregut, pronën, taksat e ulëta, rritjen e pagave dhe pensioneve, do të ketë në qendër shtetin ligjor dhe barazinë përpara ligjit, kjo është thirrja juaj sot, nga ky Kuvend i pashembullt në histori.

Miqtë e mi, të dashur delegate dhe delegatë, më lejoni sot në emrin tuaj, të përulem me mirënjohje të pafuqishme ndaj studenteve dhe studentëve liberatorë të Nëntorit të 90 me në krye prijësin Azem Hajdari, dhe filluan në rrugët e Tiranës një betejë, që ngjasonte me një betejë të Davidit kundër Golias.

Kuvendi ynë është një ngjarje historike për partitë konvervatore në të gjithë botën, sepse ai mblidhet si Kuvend i mbrojtjes së vlerave që ne ndajmë me ta. Ne po përballemi me mafien më të rrezikshme, të multimiliarderit George Soros.

Ne jemi përballë një alternative shumë të rëndë, partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, partia që dha kontribute historike në pavarësinë e Kosovës dhe në lirinë e shqiptarëve kudo, që hodhi bazat e ekonomisë së tregut dhe liberalizimit  në të gjitha fushat, që ngriti shqiptarët në grupin e kombeve me të ardhura të mesme dhe të larta, qeveria e kësaj partie u bë një avokate e fuqishme e interesave të shqiptarëve kudo në botë, ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-të, me BE-në, kjo parti arriti në vitin 2021, si një forcë politike e cila të jepte përshtypjen përballë dilemës të jesh apo të mos jesh.

Po si ndodhi dhe pse ndodhi kjo

Lulzim Basha në 8 vite, de fakto, u faktua vetë si një opozitar, nisi drejtimin e partisë duke iu përkulur, në kundërshtim me ligjet, kushtetutën, duke u përkulur përpara regjimit të Edi Ramës. Lulzim Basha nuk i vendosi Edi Ramës kufirin te thana, që të qëndronte i pamposhtur për ju dhe për qytetarët.