Kreu i qeverisë Edi Rama u pyet sot nga gazetarët nëse në listat e deputetëve për Partinë Socialiste do të jenë ish-ministrat Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati dhe Sandër Lleshaj, të larguar në kohë të ndryshme nga qeveria.
Rama tha se çdo propozim për listat e deputetëve të Prillit, është në dorë të drejtuesve politikë të qarqeve, dhe më pas fjalën e fundit do ta thojë kryesia e Partisë Socialiste.
“Nuk jam këtu për të bërë lajmet tuaja, nuk është asnjë i ndryshëm nga tjetri, drejtuesit e qarqeve kanë m,undësinë që të bëj të gjitha draftet dhe të propozojnë skuadrën e çdio qarku, që më pas do e miratojë Kryesia. Unë pres propozimet e drejtuesve të qarqeve, të cilët kanë një përgjegjësi të madhe në funksion të rezultatit”, u shpreh Rama gjatë konferencës me gazetarët.
Lista e Partisë Socialiste pritet që të bëhet publike në datën 5 Mars, ndërkohë që mes emrave që pritet të kandidohen janë dhe deputetë të opozitës aktuale që qendron në Parlament. Në mesin e tyre janë përmendur Reme Lala, Ylli Shehu apo Ediola Braho, të cilët janë rrjedhje nga LSI dhe PDIU.
Të tre ministrat e përmendur nga gazetarët në pyetjen ndaj Ramës, kanë pasur herë pas here qendrime kritike ndaj qeverisë, ndërkohë që shihen dhe si pjesë e listës kundër kryeministrit në garën e brendshme të partisë.
(E.K/Faxweb.al)