Elon Musk tregon se do të paguajë mbi $11 miliardë taksa këtë vit

Elon Musk do të përballet me një faturë të majme taksash gjatë këtij viti, e cila me shumë mundësi mund të jetë më e madhja në historinë e SHBA.

Për të gjithë personat që pyesin, unë do të paguaj mbi $11 miliardë taksa këtë vit.” tha CEO i Tesla përmes adresës së tij në Twitter. Që nga fillimi i muajit nëntor të këtij viti Musk ka shitur aksione me vlerë $14 miliardë, pasi pyeti ndjekësit e tij në Twitter nëse ai duhej të shiste 10% të aksioneve të tij. Shumica e ndjekësve të tij votuan për opsionin e shitjes së 10%.

Megjithatë është shumë e mundur që Musk do ta kishte kryer shitjen dhe nëse përgjigjja e ndjekësve do të ishte “jo”, pasi ai po përballet me një faturë të majme taksash mbi aksionet e tij në Tesla.

Pasuria e Elon Musk nuk vjen nga rroga e tij apo një bonus, por kryesisht nga vlera në treg e aksioneve të Tesla. Sa herë që Musk kërkon cash, ai mund t’i sigurojë ato duke përdorur aksionet e tij në kompani si kolateral. Megjithatë kjo praktikë është kritikuar disa herë nga politikanët si një shteg për evitimin e taksave për “super të pasurit”.

Më herët gjatë këtij viti, ProPublica publikoi një investigim që tregonte se Musk dhe disa miliarderë të tjerë nuk kishin paguar tatim federal mbi të ardhurat në 2018.

Nga 2014 deri në 2018, Musk ka paguar $455 milionë taksa mbi $1.52 miliardë të ardhura, dhe pse pasuria e tij gjatë kësaj kohe u rrit me $13.9 miliardë.