Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen se kanë falsifikuar dokumente për të përvetësuar prona në Tiranë.
Në pranga përfunduan Ruhi Vasili dhe Lavdrim Sulja, të cilët përmes falsifikimit të dokumenteve kanë mundur që të marrin një pronë në zonën e Kasharit që shkonë në 6 mijë m².
Njoftimi i policise:
Finalizohet operacioni i koduar “Dhurimi”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 2 shtetas, për falsifikim të dokumenteve, me qëllim përfitimin e një sipërfaqeje toke.
Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Dhurimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
R. V., 54 vjeç dhe dhe L. S., 42 vjeç, të dy banues në Kashar, Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente noteriale të një notereje publike në qytetin e Tiranës dhe më pas i kanë paraqitur ato në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim përfitimin si dhurim të një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, në fshatin Kashar.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin A. B., 56 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale kontratat noteriale të dyshuara të falsifikuara, të cilat ishin dorëzuar në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.