Reagimi
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u njoh nga media me publikimin e lajmit për qarkullimin në platformën e komunikimit “ëhat’s app” të një bazë të dhënash të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat, shoqëruar me të dhëna të tyre. Zyra e Komisionerit ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje.
Si edhe në raste të tjera të ngjashme, Zyra e Komisionerit vlerëson se ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe të shtypit, kur në objekt të saj ka të dhëna personale, para së gjithash, duhet realizuar duke mbajtur parasysh faktin se “interesi i lartë publik”, dallon nga “interesi për publikun”. Në këtë kontekst, Zyra e Komisionerit i bën thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.
Çdo veprim që mund të duket si një “lojë”, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve. Qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe i bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale.
I drejtohemi opinionit publik që të mos bëhet pjesë dhe të refuzoj këtë përpunim të jashtëligjshëm dhe ta fshij këtë bazë të dhënash.