Kryeministri Edi Rama mban këtë të enjte konferencën e fundvitit me gazetarët, ku ka bërë një bilanc të arritjeve dhe krizave me të cilat është përballur qeveria që drejton në këtë vit.
Rama foli për procesin e rindërtimit që sipas tij vitin e ardhshëm pritet të marrë fund, dhe mos të ketë më asnjë plagë të hapur nga tërmeti.
Rama tha se rindërtimi ka ngecur në Kombinat dhe në Vorë, ku hodhi sërish akuza ndaj disa gjyqtarëve që sipas tij kanë bllokuar procesin.
“Është një episod i shëmtuar deri në neveri, që dalin njerëz me çekiçin e drejtësisë dhe pengojnë ndërtimin e banesave për hallexhinjtë, 2022 kemi besim se do të fshijë plagët e hapura nga tërmeti, edhe pse e dimë që mund të ketë ndonjë gjë ende për tu bërë tek-tuk”, tha Rama.
Sa i takon sektorit të ekonomisë, Rama tha se premisat janë për një vit pozitiv , dhe një rikthim të madh pas vitit pandemik.
“Për ekonominë pasdyra është optimiste. Të gjitha shifrat flasin për një rikthim të fuqishëm të ekonomisë pas rënies së madhe të vitit të shkuar. Është një vit ekonomik ku për të gjitha vendet ka një rritje më të madhe se ajo natyrale, për shkak të rënies në vitin pandemik”, u shpreh më tej Rama.