Gruaja e vdekur, e cila u gjet e hedhur në një kanal, gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe, konfirmohet që është vrarë nga një komshi i saj, banor i fshatit Kozare të Beratit.
Viktima Fatime Suli u transportua gjatë natës drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar. Pas pyetjes së dëshmitarëve në vendngjarje si dhe vëzhgimit të disa kamerave në bizneset përreth, u bë i mundur arrestimi i autorit të vrasjes, 58-vjeçarit Fetah Marra (komshi me viktimen), që dyshohet se është autori i ngjarjes.
Gjatë prononcimit për “Fax News”, banorët e zonës janë habitur nga ngjarja pasi thonë se familja e viktimës është shumë e rregullt ndërsa për autorin dyshojnë se ka probleme mendore.
“Nuk kanë pasur konflikt fare, jooo asgjë. Ai personi është një njeri me të meta mendore, është psikik”, thonë banorët.
“Gruaja ishte shumë e mirë, familjarë me burrë, dy fëmijë shumë mirë ka qenë. Kurse për autorin që e ka vrarë nuk e njohim. Mund të jetë me probleme mendore sepse ai është pa grua dhe pa fëmijë, e ka lënë më duket gruaja. Fatimeja ka qenë njeriu i mirë, familje e shkëlqyer”, thotë gruaja e moshuar.
I arrestuari është duke dhënë dëshminë e tij në polici, ndërkohë që burime të brendshme policore konfirmojnë se vrasja ka ndodhur pas një konflikti për disa para borxh, që komshiu i kishte familjes së gruas.