Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha zgjedhjet e 6 marsit janë një nënprodukt dhe një anomali siç ishte 30 qershori 2019-të.

Në një intervistë për News24, Basha u shpreh ndër të tjera se kjo është një mundësi për Ilir Metën që të forcojë koalicionin e “non gratave”.

“Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë. Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet.”– u shpreh Basha.

PJESE NGA INTERVISTA

Pyetja: Zoti Basha, ju jeni gati afër 6 Marsit, datë e vendosur nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesëshme lokale. Kishit pritshmëri për këto zgjedhje se do të ishin tani? Si i pritët?

Lulzim Basha: 6 Marsi është, në qoftë se mund ta them, një nënprodukt, një anomali dhe një nënprodukt e një anomalie tjetër, siç ishte 30 qershori 2019-të. Pra, është nënprodukt i një anomalie të madhe dhe në vetvete është një anomali.

Pyetja: Pse e quani kështu?

Lulzim Basha: Sepse e tillë është. Të gjithë e dimë fare mirë se 6 Marsi nuk është dizenjuar për të zgjidhur hallet e krijuara për shqiptarët në këto 6 Bashki, 4 prej të cilave, e vetmja arsye pse zhvillohet ky proces, është plaga e rëndë e kandidimit nga Rama, të personave me rekorde kriminale, për Bashkiakë. Pra, që tregon që problemi i madh i bashkëjetesës, të bashkëpunimit me krimin nga ana e partisë në pushtet dhe politikës në tërësi, vazhdon të prodhojë probleme për qytetarët. Për Ilir Metën është një mundësi që t’i shtijë dru zjarrit të hallit të vet. Duke u përpjekur kështu të forcojë atë Koalicion të “non gratave” për shqiptarët, të atyre që janë të padëshirueshëm për shqiptarët dhe në këtë mënyrë mendon se mund t’i japë frymëmarrje apo përpiqet t’i japi legjitimitet, diçkaje që është jo vetëm legjitime, por të padëshiruar, që është koalicioni i një grushti njerëzish të cilët duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç është.

Pyetja: Pra, zoti Basha, i ashtuquajturi prej jush “Trekëndëshi i Bermudës” do të marrë pjesën realisht në zgjedhjet e 6 marsit. Është kjo një formë kurthi ndaj jush, le ta quajmë?

Lulzim Basha: Padiskutim “Trekëndëshi i Bermudës” është në veprim dhe halli i tyre nuk ka aspak të bëjë me demokracinë vendore apo me hallet e shqiptarëve. Sepse siç e thashë, problemet janë ato të cilat i kemi parashtruar nga ne dhe që u vërtetuan më 25 prill. Më thoni, pyetje retorike: Çfarë ka ndryshuar nga raporti i OSBE-OHDIR, që tregoi problemin e shit-blerjes së votës, përfshirjes së krimit të organizuar, abuzimi me burimet shtetërore, abuzimi me financat shtetërore? Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, janë bërë përpjekje të stërmëdha nga partia në pushtet, për të ndalur dorën e drejtësisë, për të mos dënuar personat përkatës. Nuk ka asnjë përparim me Komisioni për Hetimin e masakrës zgjedhore të 25 prillit të kërkuar edhe në Parlament nga Partia Demokratike. Nuk ka asnjë hap në atë që cilësohet si kusht për demokracinë në Shqipërinë, por edhe një kusht për hyrjen e vendit në Bashkimin Europian, që është Reforma Zgjedhore. Pra, qartësisht 6 Marsi ndodh në kushte edhe më të këqija sesa ato për të cilat Ilir Meta nuk pranoni që zgjedhjet të zhvilloheshin më 30 qershor duke i shtyrë ato. Atëherë çfarë e shtyn atë dhe dy brinjët e tjera të “Trekëndëshi i Bermudës”, të hidhen e ta përqafojnë 6 Marsin? Halli i përbashkët. Halli i përbashkët është të legjitimojnë partinë e non gratave në Shqipëri, ku bëjnë pjesë të tre, apo siç kemi thënë shkurt “Trekëndëshi i Bermudës”.

(E.H/Faxweb.al)