Këshilltari ligjor i presidentit Meta ka folur pas seancës në Gjykatën Kushtetuese, ku po diskutohet në lidhje me shkarkimin e kreut të shtetit, nga Kuvendi.
“Kur një proces i rregull ligjor nuk u realizua nga Kuvendi, ne nuk mund të merremi me asgjë tjetër. Nuk ka pasur dhe nuk ka lëndë që të justifikonte ngritjen e Komisionit Hetimor”, ka thënë Dervishaj.
Ai iu është përgjigjur dhe pyetjes së gazetarëve se pse Meta nuk ishte vetë i pranishëm në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij.
“Është thënë se pse presidenti nuk ka shkuar në Komisionin Hetimor, ishte ngritur përtej afateve ligjore që e parashikon Kushtetuta, pas zgjedhjeve të 25 Prillit”.
Seanca është shtyrë për ditën e hënë datë 7 Shkurt në orën 10:00 vijim e seancës për shkarkimin e Ilir Metës.
Kjo për shkak se trupa gjykuese i ka adresuar përfaqësuesve ligjorë të Presidencës 70 pyetje në total. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e kreut të shtetit kërkuan kohë për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve.
Për këtë arsye u vendos që seanca e radhës në Kushtetuese të zhvillohet më 7 Shkurt 2022.
Gjykata Kushtetuese vijoi edhe sot me shqyrtimin e vendimit të Parlamentit vitin e kaluar për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, ku dëgjoi mbrojtjen e përfaqësuesve të kreut të shtetit.