Partia Demokratike prezantoi sot zyrtarisht kandidatin për kryetar të bashkisë së Dibrës, Luan Haka, propozuar nga strukturat e degës së PD dhe miratuar nga kryesia.
Prezantimi i kandidatit Luan Haka, është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, nënkryetarja e PD, Jorida Tabalu, drejtuesi politik i qarkut, Xhelal Mziu, kryetari degës së Dibrës Naim Gazidede, deputetë si dhe anëtarë të kryesisë së PD.
Sekretari i Përgjithshëm Bardhi dhe nënkryetarja Tabaku në fjalën e tyre vlerësuan figurën e kandidatit Luan Haka, duke shprehur bindjen se Dibra do të fitohet e do tu kthehet qytetarëve.
Kandidati për bashkinë e Dibrës në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, tha se ndjehet i privilegjuar që iu dha besimi për të kandiduar e nesër për ti shërbyer qytetarëve dibranë.
“Në 6 Mars, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë. Unë, po aq sa krenar, jam edhe përgjegjës për rikthimin e dinjitetit në Dibër. Besimi për t’ju përfaqësuar , përveç kënaqësisë, më ka vënë mbi supe peshën për t’jua kthyer atë Dibër që po na e kalojnë dorë më dorë që nga 2015-ta. Unë vetem nuk mundem të fitoj. Unë bashke me ju do të fitoj! Mua, përpara se të filloj rrugëtimin e fitores, më duheni ju!
Ju, pa të cilët nuk do mund të bëja opozite dhe pa të cilët nuk e dëshiroj fitoren. Demokratët dinë të jenë vetëm TË BASHKUAR
Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë Dibrën tonë. Dibrën e vjedhur, Dibrën e masakruar, Dibrën e varfër e të harruar. Dibrën, të cilës, ja kam shkelur çdo pëllëmb, ja di hallet, jetoj në të, dhe di cfarë i duhet asaj. Modestisht , nëse ka diçka për të cilën do ja dija vlerë vetes si kryetar i ardhshëm i Bashkisë, është fakti se ndryshe nga ata që i sjellin nga Tirana e që Dibrës ja mësojnë rrugët vetëm kur ju vjen pushteti, unë di dhe cepin më të harruar të saj, qytetarin më të paushqyer, e rrugën më të pashkelur.