Autoritetet libiane kanë zbuluar më shumë se 300 pako me kanabis, të cilat kishin të ngjitur sipër një foto të Presidentit rus Vladimir Putin.

Një total prej 323 pakosh, me peshë 250 gram secila, u kapën në qytetin verilindor të Libisë Al Marj, tha një zëdhënës i agjencisë për AFP.

Fotot e postuara në rrjetet sociale tregojnë pako me hashash, të vendosura mbi njëra-tjetrën dhe një portret të Putinit me kostum dhe kravatë të zezë.

Policia nuk dha detaje se nga vinte dhe pse kishte foto të Putinit mbi pakot me hashash.
Autoritetet libiane shpesh zbulojnë se droga që ata kapin ka imazhe të çuditshme; pako hashashi me logon e një marke luksoze franceze u konfiskuan të dielën.

Trafiku i paligjshëm i drogës dhe alkoolit është rritur ndjeshëm vitet e fundit në Libi, kryesisht për shkak se kufiri nuk ruhet mirë pas rënies së regjimit të Muammar Gaddafit në 2011.