Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo ka arritur të vendosë një tjetër rekord, por kësaj here jashtë fushës së blertë. Tashmë adresa e tij zyrtare në Instagram është e para në botë që ka arritur të regjistrojë 400 milionë ndjekës.

Edhe para se ai të arrinte këtë shifër rekord, Ronaldo ishte personi më i ndjekur në platformë. E gjithë kjo rritje duket se ka ardhur pas ditës kur ai festoi ditëlindjen e tij të 37. Në datën 5 shkurt ai shpërndau në Instagram një foto me bashkëshorten e tij, Georgina Rodriguez, e cila ka grumbulluar më tepër se 14 milionë pëlqime brenda 2 ditësh.

Aktualisht Cristiano Ronaldo ka të publikuar në profilin e tij 3,242 postime, me një mesatare prej 10 milionë pëlqimesh për postim. Në listën e personave që ndiqen nga Ronaldo gjenden vetëm 500 vetë.

Pas Ronaldos, Kylie Jenner është personi i dytë më i ndjekur në Instagram me 308 milionë ndjekës. Në vendin e 3-të gjendet gjithashtu një tjetër futbollist i shkëlqyer, Leo Messi me 306 milionë ndjekës.