Teksa prezantoi kandidatin e koalicionit “Shqipëria e Lirisë” për bashkinë e Rrogozhinës, ish-kryeministri Sali Berisha iu kërkoi demokratëve të këtij qyteti të mos e shkojnë dëm votën e tyre, duke votuar kandidatin e Lulzim Bashës.
Berisha tha disa fjalë ndaj kandidatit Ferdinand Saraçi, që sipas tij nëse do të kishte ambicie për të qenë kryebashkiak, do të kishte pranuar që të testohej në zgjedhjet e primareve.
“Përballë Hekuran Xhanit, shërbëtorit të përkushtuar të qytetarëve dhe banorëve të Rrogozhinës, njeriut që ka sakrifikuar vite mund në shërbim të fermerëve, demokratit të orëve të para, përveç Edisonit të Edi Ramës, del tani edhe Ferdinandi i Lul Bravës.
Ferdinandit do ti them dy fjalë, ke qenë kryetar i demokratëve të Rrogozhinës, por me aktin tënd tregove se kurrë nuk e ke merituar votën e tyre. Nëqoftë se ti Ferdinand do të ishe demokrat i vërtetë, po të kishe ambicie për kryetar bashkie i drejtoheshe anëtarësisë.
Ferdinandi është krejtësisht kopje e Lulzim Bravës. Dëgjoni këtu se çfarë ndodh, Lulzim Brava duke e ditur që është i nxirë para çdo shqiptari, nuk del vetë që të prezantojë kandidatët e tij, vetëm e vetëm që të mos e dinë qytetarët që janë kandidatë të Lulzim Bravës. I bëj thirrje mençurisë suaj, mos gaboni që të votoni për Ferdinand Saraçin, që tund logon e marrë me dhunë nga Edi Rama.
Kandidati i fitores është kandidati i Shtëpisë së Lirisë”, tha Berisha.
Më tej ish-kryeministri Berisha foli dhe për hetimet belge ndaj Lulzim Bashës, të cilit i tha të mos fshihej pas SPAK dhe BKH-së.
“Në 6 Mars mos humbisni votën tuaj për përfaqësuesit e Lul Bravës, atij që do të vijë të paraqesë Ferdinandin këtu, pyeteni për aferat kriminale të Lulzim Bravës. Vënë një tabel me Bashën drejt të ardhmes, por a ka tallje më të madhe me veten, se të flasë për të ardhmen, ai që humbet, humbet dhe vetëm humbet.
Ai me bisht ndër shalë ulet dhe voton për Ramën.
Dil në foto me kë të duash, por dosja e Belgjikës do të dalë në dritë të diellit, doli pas dy orë hetimi, në të cilën u tha se gënjeu nën betim, problemi është që në drejtësi po gënjeve në hetim i ke hekurat e sigurta.
E dyta i thanë që të gjente një avokat të mirë, kur doli i thoshte palës belge mes të tjera që nuk kishin juridiksion për ta hetuar. Ata jo vetëm që kanë të drejtë të hetojnë, por mund të të marrin me benz dhe të çojnë atje, prandaj lëri ato, bëj sa të duash be për kokën e SPAK-ut dhe BKH-së por shpëtim nuk ke”, përfundoi Berisha gjatë fjalës së tij.