Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit në shenjë mirënjohje i ka dorëzuar një donacion me vlerë 10 mijë euro ish-punonjësit të Policisë Rrugore, Resmi Hasanpapa i cili mbeti i dëmtuar në krye të detyrës.
Në vitin 2004, Resmi Hasanpapa dhe kolegu i tij Allaman Dervishi, janë qëlluar më armë nga dy persona. Për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë Allaman Dervishi dhe ka mbetur i dëmtuar në këmbë Resmi Hasanpapa.
Shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Besmir Qibini, ndër të tjera ka theksuar se pavarësisht se Resmi Hasanpapa humbi aftësinë për të ecur, ai nuk e humbi kurrë vullnetin për të dhënë kontributin e tij si punonjës policie. Që prej vitit 2016, ai është integruar duke dhënë kontributin e tij vullnetar pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.
Përfaqësuesi i Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, Erald Krisafi, në emër të drejtuesit të shoqatës Elton Shametaj, i ka dhuruar çekun Hasanpapa, dhe është shprehur se kjo shoqatë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të Policisë.
Ish-punonjësi i Policisë Resmi Hasanpapa ka falënderuar përfaqësuesin e shoqatës, për vlerësimin dhe për donacionin. Gjithashtu, ai ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vëmendjen që tregon ndaj punonjësve të Policisë që kanë mbetur të dëmtuar gjatë kryerjes së detyrës, po ashtu dhe ndaj familjarëve të Dëshmorëve të Policisë.