Sekretari i shtetit Anthony Blinken ka reguar me një mesazh të shkurtër pas takimit me kryeministrin Edi Rama.
Ai thotë se e kishte për kënaqësi të priste Ramën në takim, ndërsa ka kujtuar 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Ishte kënaqësi që të prisja kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ne festuam 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Mezi presim 100 vitet e ardhshme!”, shkruan Blinken në postimin e tij në Twitter.
“Sekretari vlerësoi traditën e vazhdueshme të Shqipërisë për të ofruar një strehë të sigurt për ata që janë në nevojë, duke pritur afganët në rrezik.
Sekretari vuri në dukje bashkëpunimin tonë të fortë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e qartë të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër agresionit rus.
Sekretari përsëriti mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, ndërsa theksoi nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”, thuhet ndërkohë në reagimin e DASH.
Lidhur me takimin reagoi dje dhe Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Rama: Diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, marrëdhëniet bilaterale, padiskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme në këtë marrëdhënie.
VOA: SHBA dhe Shqipëria ranë dakord të bashkëpunojnë në Këshillin e sigurimit. Për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë dhe çfarë roli do të luajë Shqipëria në Këshillin e sigurimit?
Rama: Ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar 1 apo disa dosje të caktuara. SHBA na e propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi dhe kjo na jep përgjegjësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë.
VOA: A do të dalë Shqipëria me rezolutë për Ukrainën?
Rama: Kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, është tashmë një çështje e gjithë botës. Patjetër që në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA. Vendimmarrja i takon SHBA.
VOA: A ka qytetarë Shqiptarë në Ukrainë dhe a janë larguar.
Rama: Ministria për Evropën dhe punët e Jashtme ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Ne kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE që do të vazhdojë të qëndrojnë atje.
Faxweb.al