Home ELBASANI SOT “MUNGESA E GRURIT? NUK KA VEND PËR PANIK”

“MUNGESA E GRURIT? NUK KA VEND PËR PANIK”

38

 Çmimi pritet të rritet!

Fuad Haxhiymeri, kryetari i shoqatës së prodhuesit të miellit ka folur për furnizimin e Shqipërisë me grurë dhe pasojat që vijnë si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Haxhiymeri qetësoi konsumatorin shqiptar duke nënvizuar se Shqipëria nuk rrezikon të përballet me mungesën e sasisë së grurit, as me “zinë e bukës”.

Por Haxhiymeri gjatë fjalës së tij theksoi se çmimi i miellit do të rritet për shkak të bursës ndërkombëtare.

“Konflikti Rusi – Ukrainë ndikoi shumë në këtë biznes dhe në mënyrën e furnizimit me grurë pasi janë dy shtete shumë të rëndësishme. Rusia është eksportuesi më i madh i drithërave në botë. Fatmirësisht që para kësaj situate të formonim disa stoqe. Furnizimin e fundit e sollëm dje që normalizon më shumë situatën. Nëse do ta merrnim ta shpërndanim sasinë e grurit në mënyrë të barabartë do të ishte një periudhë 1.5-2 mujore. Por kjo nuk do të thotë që pas kësaj kohe s’do të ketë miell apo të përfshihemi në zi buke, nuk është vendi për panik.

Kanë filluar komunikimet me tregjet e tjera, jemi në kontakte me kompani të ndryshme nga vende të tjera për të sjellë grurin. Puna ka nisur prej kohësh, problemi është që ku do ta blemë për shkak të çmimit. Është e qartë që çmimi do të rritet, momentalisht çmimi është rritur 4 lekë nga fabrikat, por derisa shkon në dorë e dytë dhe e tretë deri tek konsumatori rritet çmimi. Jemi në negociata që fabrikat e miellit të ulet çmimi i energjisë elektrike.

Varianti më i lirë për të blerë – Bursa u rrit 6-7% pas luftës. Shtetet që ne po synojmë të bëjmë kontrata , jemi në tratativa dhe do ta përfundojmë një situatë të tillë duke firmosur kontratat. Duhet të subvencionohet bujqësia dhe shteti duhet të mbajë edhe rezerva shtetërore për të zbutur situatën.

Ne kemi qenë të suksesshëm si në kohën e pandemisë por edhe të vjeshtës së kaluar ku pati një prodhim minimal të bujqësisë por edhe tani që plasi lufta ne nuk jemi gjetur të papërgatitur. Konsumatorët ndahen në dy kategori, kategoria e parë që ne i qetësojmë se nuk do të kemi mungesë të miellit. Ne jemi të sigurt që nuk do të ketë krizë për miell”, tha Haxhymeri.