Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka publikuar pamje nga momenti kur Rusia ka sulmuar centralin bërthamor në Ukrainë, duke rrezikuar një katastrofë të vërtetë.
Sulmi ndodhi në orët e para të 4 marsit dhe zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës. Ky është termocentrali bërthamor më i madhi në Evropë. Duke konfirmuar zjarrin, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në Twitter se ushtria ruse “po qëllon nga të gjitha anët” në kompleksin e këtij termocentrali bërthamore. Ai paralajmëroi se një katastrofë atje mund të ishte më e keqe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986.