Kurti tha se perëndimi duhet të dallojë synimin e Rusisë për të kryer gjenocid në Ukrainë, ndërsa thotë se edhe Ballkani Perëndimor mund të përballet me rrezik të shtuar të konflikitit ushtarak për shkak të situatës në Ukrainë.

“Ky invazion rus, ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Shihet qëllimi gjenocidal që rezulton në aspekte logjistike dhe demografike. Kur shoh se çfarë po ndodh në Kiev, duket se kjo është një tjetër Sarajevë në përgatitje,” shtoi ai.

The Independent shkruan se pas pushtimit të Ukrainës, Kurti ka frikë se Kosova mund të përballet me një konflikt ushtarak të ndërmjetëm, pasi Rusia ushtron ndikimin e saj politik në Serbi.

Paralajmërimet e tij vijnë pas një grumbullimi të forcave ushtarake në kufirin verior të Kosovës në fund të vitit të kaluar, që përfshinte tanke të prodhuara në Rusi dhe avionë luftarakë MiG.

“Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik edhe më të madh se vendet baltike dhe Moldavia, sepse atje Rusia do të kishte ndarë një pjesë të forcës së saj ushtarake. Në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk do të duhej ta bënte fare këtë, sepse Serbia mund të jetë vlerë e shtuar e agresionit të tyre ushtarak. Ne do të donim të anëtarësohemi në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.”

“Gjithashtu insistoj që NATO të jetë shumë më vigjilente se sa është tashmë. Në Moskë kemi një udhëheqës të fuqishëm që po pakëson rrugët e tij të arratisjes. Ai nuk është një person që duket i gatshëm të bëjë paqe, përkundrazi do të bëjë përpjekje për zgjerim të luftës. Kjo është arsyeja pse jemi në rrezik.”

Sipas The Independent, Kosova nuk ka gjasa të realizojë anëtarësim të shpejtë në NATO, ndërsa më shumë se 100 vende e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, katër shtetet anëtare të NATO-s nuk e kanë bërë këtë. Vendi gjithashtu nuk është anëtar i OKB-së, si rezultat i kundërshtimeve ruse. Kurti ka kërkuar që, të paktën, forcat e NATO-s të shqyrtojnë shtimin e pranisë ushtarake në vendin e tij.