Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se me ministret Belinda Balluku dhe Delina Ibrahimaj do të ketë sot në orën 09:00 takim me furnizuesit e naftës. Siç bëjnë me dije nga Kryeministria takimi do të jetë për pasojat e luftës në çmimet e karburantit dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë.
Një ditë më parë në një dalje publike, kryeministri Rama tha se brenda 48 orëve do të publikojnë masat e reja për menaxhimin e krizës. Një ndër masat e para që njoftoi Rama është krijimi i një bordi për naftën. Sipas kryeministrit asnjë çmim në tregun e naftës nuk do të vendoset pa u miratuar më parë nga ky bord.
Sakaq, Rama e mbajti fjalën e tij, ndërkohë që poshtë zyrës në shesh ishin mbledhur qindra qytetarë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve. Në ditën e dytë të protestës pati gjithashtu përshkallëzim, ku u bllokuan disa rrugë, ndërsa policia shoqëroi disa persona.
Në orën 17:00 të ditës së sotme do të mbahet sërish protesta e radhës, ndërsa të shtunën pritet që të jetë më masive. Protesta gjithashtu ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit. g.v/abcnews