Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë janë të niveleve të ndryshme dhe synojnë t’ua vështirësojnë jetën rusëve me qëllimin përfundimtar për të bërë presion ndaj Putinit për t’i dhënë fund luftës.

Disa nga këto sanksione do të ndikojnë gjithashtu në cilësinë e jetës dhe komoditetet që gëzojnë të pasurit në Rusi, të cilët – në teori – kanë një ndikim të fortë në qeverinë ruse.
Prodhuesit më të mëdhenj të makinave tashmë kanë ndaluar prodhimin vendas të makinave dhe shumica kanë ndaluar eksportimin në Rusi.

Por tashmë në tavolinë janë edhe markat luksoze, të cilat së shpejti do të ndjekin rrjedhën e përgjithshme të sanksioneve.

Propozimi i ri që është hedhur në tryezë nga BE-ja do të ndalojë eksportin e makinave që kushtojnë më shumë se kufiri prej 50 mijë euro drejt Rusisë. Kjo vlen për markat si Audi , BMW , Mercedes-Benz , Porsche , Ferrari , Lamborghini dhe të tjerë.

Vendimi nuk është marrë ende, por pritet të finalizohet në fund të javës.

Nëse merret ky vendim, kjo duket se nuk i shqetëson këto kompani, pasi prodhimi i planifikuar për Rusinë do të shkojë në tregje të tjera, ku do të ketë vonesa të mëdha në dërgesa për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.

Tani nëse mungesa në Ferrari dhe Lamborghini (por edhe McDonalds dhe Instagram) është në gjendje të ndalojë armët dhe terrorin e luftës, mbetet për t’u parë. Edhe pse nuk ka pritshmëri të mëdha./abcnews.al/