Kombëtarja shqiptare do të nisë të hënën grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të muajit mars ndaj Spanjës (26 mars) dhe Gjeorgjisë (29 mars), teksa tashmë është bërë publike edhe lista me 26 lojtarët e ftuar për dy sfidat. Për trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Edoardo Reja janë dy teste të rëndësishme që do t’i japin mundësi skuadrës të tregojë se sa është rritur duke matur forcat me rivalë të rëndësishëm.
Në prononcimin e tij për Fshf.org, tekniku italian ka folur për risitë e listës dhe zgjedhjet e tij, teksa është i kënaqur për faktin se shumë prej lojtarëve po luajnë rregullisht me klubet dhe marrin pjesë në liga të rëndësishme europiane.
Gjithashtu, Reja shton se pret që lojtarët të japin maksimumin në këto dy sfida, që janë një mundësi e mirë për të kolauduar ekipin në kuadër të impenjimeve të ardhshme zyrtare në Nations League. Sigurisht, për trajnerin edhe rezultati është i rëndësishëm në këto dy ndeshje dhe se Kombëtarja shqiptare do të provojë të marrë dy rezultate pozitive në këto miqësore.
Risitë në listë – Kemi gjithmonë një listë me rreth 30 lojtarë, por me vete do të marr 26 lojtarë, sepse është e kotë të marr lojtarë, të cilët më pas nuk do kenë mundësinë të luajnë. Është e qartë që në këtë listë ka disa te reja, është Asllani që po paraqitet shumë mirë me Empolin, duke treguar personalitet të madh pavarësisht moshës, por është një lojtar që ka aftësi të rëndësishme. Sigurisht është ende i ri, duhet ende të rritet, por unë dua ta aktivizoj dhe ta shoh në aksion në një ndeshje zyrtare. Ndonëse janë miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme.