Në një muaj luftime në Ukrainë, Mariupol është kthyer në qytetin më të bombarduar dhe më të dëmtuar. Këto sulme të vazhdueshme ruse në Mariupol, tregojnë se ky qytet është kyç për qëllimet e Moskës. Por pse?
BBC rendit katër arsye kryesore pse marrja e këtij qyteti-port do të ishte një fitore strategjike për Rusinë dhe një goditje e madhe për Ukrainën.
Sigurimi i një korridori tokësor midis Krimesë dhe Donbasit.
Gjeografikisht, qyteti i Mariupolit është vetëm një zonë e vogël në hartë, por tani shërben si rrugëkalim për forcat ruse në Detin e Zi. Gjenerali Richard Barrons, ish-komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar, thotë se kapja e Mariupolit është jetike për përpjekjet luftarake të Rusisë.
“Kur rusët të ndjejnë se e kanë përfunduar me sukses atë betejë, ata do të kenë mbaruar një urë tokësore nga Rusia në Krime dhe do ta shohin këtë si një sukses të madh strategjik.”
Gjenerali Richard Barrons.
Nëse Mariupol do të kapej, Rusia do të merrte në kontroll të plotë më shumë se 80% të vijës bregdetare të Ukrainës në Detin e Zi, duke ndërprerë kështu tregtinë e saj detare dhe duke e izoluar më tej atë nga bota. Mirëpo llogaritë e Kremlinit për të pushtuar shpejt qytetin nuk po dalin sipas parashikimeve, pasi po përballen me rezistencën e pathyeshme deri më tani të forcave ukrainase. Në një situatë të tillë, komandantët rusë po përdorin taktikat mesjetare të rrethimeve dhe izolimeve.
Ukraina është zotuar të mbrojë qytetin deri në ushtarin e fundit. Trupat ruse po depërtojnë në qendër dhe në mungesë të ndonjë lloj marrëveshjeje paqeje, Rusia ka të ngjarë të intensifikojë bombardimet e saj, duke bërë pak ose aspak dallim midis mbrojtësve të armatosur dhe popullsisë civile të rrethuar, e cila ende numëron mbi 200 000 persona.