Kryeministri Edi Rama këtë të hënë ka qenë i pranishëm në Manzë të Durrësit, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 230 apartamenteve të reja familjeve, banesat e të cilëve u prekën nga tërmeti i dy viteve më parë.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë ka thënë se ndihet krenar për punën e bërë, teksa ka shtuar se ky është një hap i madh që kemi bërë së bashku.
“T’i gëzoni shtëpitë, janë të tuajat si pronë e patundshme dhe janë tuajat si trashëgimi për fëmijët tuaj, falas. Ky është një ndër ato momente kur njeriu që për shkak të detyrës duhet të përballet çdo ditë me pengesa dhe me çfarëdolloj sulmesh, akuzash, shpifjesh thotë: Hallall të gjitha se realisht ia vlen shumë që duke bërë këtë detyrë të ju gjendesh pranë kaq shumë njerëzve në një hall kaq të madh. Ia vlen të jesh aty për kaq shumë njerëz, dhe të bësh të mundur që në një kohë të shkurtër që këto njerëz të kthehen në shtëpi më të sigurta, më të bukura dhe që janë shumë më të mirë se ato që humbën dhe ky është një hap i madh që ne e kemi hedhur sëbashku. Ndihem krenar për punën që kemi bërë dhe mbi të gjitha ndihem krenar për besimin tuaj, që ia dhatë kryetares së bashkisë, e cila është një shembull i përkushtimit dhe mbi të gjitha i të qënurit pranë njerëzve. Për ju ka qenë një ngjarje në kurrizin tuaj dhe s’keni për ta harruar asnjëherë, humbjen e shtëpisë dhe të ndodhurit në qiell të hapur. Ne jemi krenar që u bëmë pjesë e saj. Ne do të vazhdojmë të bëjmë dhe të gjitha punët e tjera për ta bërë këtë vend më të mirë, hap pas hapi”, tha Rama.