Gurvenatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar ditën e sotme gjatë prezantimit të raportit të Tranzicionit nga BERZH, se sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura kanë sjellë një rritje të çmimeve edhe në vendin tonë. Ai theksoi se këto çmime do vazhdojnë të mbeten të larta të paktën edhe për pjesën e mbetur të vitit 2022.
“Ekonomia botërore po lë pas ditët më të këqija dhe pasojat e pandemisë. Me lejoni të them që është shfaqur një sfidë e re. Sulmi i Rusisë dhe Ukrainës dhe sanksionet e vendosura kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera. Këto çmime do vazhdojnë të mbeten të larta të paktën edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022”, deklaroi Sejko.
Sejko tha se Shqipëria dhe rajoni po përballen me një rritje të çmimeve pasi si ekonomi të vogla dhe të hapura nuk mund të shpëtonin nga ky efekt që po përhapet në të gjithë botën.
“Shqipëria dhe rajoni po përballen me një rritje të çmimeve. Si ekonomi të vogla dhe të hapura ne nuk mundemi të shpëtojë nga këto ndikime. Bazuar në informacionin aktual inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv në pjesën më të madhe të dy viteve të ardhshme. Në aspektin pozitiv edhe në prani të kësaj goditje projeksionet tona tregojnë se vëllimi i aktivitetit ekonomik do tregojë rritje gjatë vitit 2022. Ky parashikon faktorizimin e mospërshkallëzimit të konfliktit dhe momentin pozitiv me të cilat ekonomia shqiptare hyri në vitin 2022”, deklaroi Sejko.
Ai nënvizoi se fokusi i autoriteteve duhet të jetë i dyfishtë përmes një ndërhyrje të përkohshme në politikat fiskale por duke mos u kthyer në rritje të borxhit publik. Sejko nënvizoi se duhet ribalacim mes objektivit të rimëkëmbjes ekonomike me stabilitetin ekonomik në vendin tonë.
“Fokusi i autoriteteve duhet të jetë i dyfishtë. Ky objektiv duhet të përmbushet përmes një ndërhyrje të përkohshme të politikave fiskale që duhet të synojë të mos përkthehet në rritje të borxhit publik. Autoritetet publike duhet të ribalacojnë objektivin e rimëkëmbjes ekonomike me stabilitetin ekonomik në vendin tonë.
Rritja gjatë muajve të kaluar sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Operatorët e sektorit privat duhet të marrin masa. Biznesi duhet të rrisë vëmendjen ndaj kostove operacionale. Në prani të një ambienti të qëndrueshëm ekonomikë dhe financiarë perspektivat mbeten solide”, u shpreh ai.
Një pikë e rëndësishme të raportit të Tranzicionit, tha Sejko, është digjitalizimi. Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar aplikimin e teknologjisë si një faktor për ruajtjen e vendeve të punës gjatë pandemisë si dhe mbrojtjen e konsumatorin dhe huamarrësve.
“Lajtmotivi i raportit të tranzicionit është digjitalizimi. Përfitimi nga digjitalizimi është i mirë dokumentuar. Ky proces ka qenë më i shpejtë në vendin tonë duke kontribuar në ruajtjen e vendeve të punës gjatë pandemisë.
Banka e Shqipërisë ka vlerësuar aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimin e sistemit financiar. Për sistemin e pagesave dhe për mbrojtjen e konsumatorit dhe huamarrësve. Për të nxitur më tej rritjen, duhet të vazhdojë zbatimi i reformave specifike që synojnë rritjen e produktivitetit. Këto reforma duhet të synojnë krijimin e kushteve të favorshme. Edhe raporti i këtij viti i Bankës Europiane për zhvillim nuk bën përjashtim”, deklaroi Sejko.