Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier është shprehur së fundmi se dëshiron të vizitojë Kievin, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk dëshiron ta presë atë, pohon e përditshmja “Bild”. Gazeta thekson se vizita tashmë është duke u përgatitur, por ka një problem me mikpritësit.
Sipas medias gjermane, Zelensky nuk dëshiron të takohet me Steimier, sepse kreu i shtetit gjerman ka ushqyer marrëdhënie të ngushta me Rusinë vitet e fundit. Megjithatë, nga presidenca gjermane nuk ka asnjë reagim zyrtar, pasi dhe zyrtari që ka folur ka pranuar të qëndrojë anonim.
Gjatë kohës sa ishte ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier ka pasur marrëdhënie të mira me Sergei Lavrov dhe njëkohësisht përkrah gazsjellësin “Nord Stream 2”, që është e gjithë arsyeja pse Zelensky refuzon ta takojë në Kiev.
Lidhur me këtë, “Bild” i referohet një diplomati të paidentifikuar, i cili deklaroi “se Steinmeier aktualisht nuk është i mirëpritur në Kiev dhe nëse kjo do të ndryshojë një herë, mbetet për t’u parë”.
Steinmeier po planifikonte të vinte në Kiev të mërkurën me përfaqësues të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për të takuar Zelenskyn, por presidenti ukrainas tha se Steinmeier “nuk është i mirëpritur” për shkak të “lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë”.
Ndërkohë, javën e kaluar Steinmeier bëri thirrje që presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm Sergei Lavrov të gjykohen për krime të dyshuara lufte në Ukrainë.