Deputeti i PD, Flamur Noka anëtar i Komisionit të Rithemelimit ka dalë kundër platformës së Enkelejd Alibeajt, si dhe kategorikisht kundër ndalimit të procesit zgjedhor që ka nisur në bazë.
Në një deklaratë ai u shpreh se askush nuk ka të drejtën që të ndalojë vendimet e marra nga Kuvendi i 11 dhjetorit, teksa tha se bashkimi i demokratëve bëhet vetëm përmes votës së lirë.
Noka përsëriti thirrjet se në datën 30 Prill do të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku sipas tij të gjithë janë të ftuar që të flasin hapur për çështje dhe problematika të ndryshme.
Deklarata e plotë e Nokës:
Grupi parlamentar i PD është i rëndësishëm, PD është e vendosur të garantojë të drejtat statutore të çdo organi por mbi të gjitha është vullneti i anëtarësisë që vendos qëndrimin politik të saj.
Me këtë rast theksoj se askush nuk do organizojë më procese ku 1958 karrige të lexohen si 5004 delegatë, askush nuk do të zëvendësojë më votën e lirë me blinda.
Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të edhe koha kur vullneti i shumicës injorohej. PD ka qenë dhe mbetet e hapur për të diskutuar me cdo deputet dhe demokrat për specifikat që kanë hasur bë zonat e tyre. Për këte jemi të gatshëm që me grupe auditi të verifikohet cdo procedurë zgjedhore, nëse është zhvilluar conform statutit të PD, miratuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Por në asnjë rast dhe rrethanë procesi i nisur prej muajsh dhe i rikonfirmuar nga zgjedhjet e 6 marsit, nuk do të ndalojë. Mirëpresim ata që janë bërë procesi e ketij procesi, po s’do lejojmë askënd për shkak të frikës se Basha dhe Alibeaj kanë nga përballja me votën dhe vullnetin e demokratëve. Bashkimi i Demokratëve vjen vetëm përmes votës së lirë, nuk kemi më kohë për të humbur.
Koha e pengmarrjes së opozitës ka marrë fund. Ne jemi të detyruar të pranojmë vendimet e Kuvendit kombëtar të 11 dhjetor. Askush nuk ka tagër ta ndryshojë, apo të anulojë vendimet e tij.
Të gjithë të bashkohemi në Kuvendin e 30 prillit, të flasim hapur dhe ndershëm dhe të prezantojmë cdo platformë. Në fund të respektojmë votën dhe vendimet e kuvendit kombëtar të demokratëve” tha Noka.