Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Elton Bengajn (Meta) i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij 23- vjeçaren Sabrina Bengaj. Krimi i rëndë ndodhi në 10 tetor 2021 brenda banesës së prindërve të viktimës.

Akuzat për të cilat ai do gjykohet janë ajo e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” të parashikuar nga nenet 79/c dhe 50 “e/1” të K.Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” me pasoja të rënda e parashikuar nga neni 278/7 i Kodit Penal, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” e parashikuar nga neni 321/2 i K.Penal dhe “Prishja e qetësisë publike” e parashikuar nga neni 274 të Kodit Penal, të kryera në dëm të viktimës, ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj, e moshës 23 vjeçe.

NJOFTIMI

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në përfundim të kryerjes së veprimeve hetimore lidhur me procedimin penal nr.908 të vitit 2021, ka konkluduar me kërkesë për dërgimin për gjykim të të pandehurit Elton Bengaj (Meta) i akuzuar për veprat penale “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” të parashikuar nga nenet 79/c dhe 50 “e/1” të K.Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” me pasoja të rënda e parashikuar nga neni 278/7 i Kodit Penal, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” e parashikuar nga neni 321/2 i K.Penal dhe “Prishja e qetësisë publike” e parashikuar nga neni 274 të Kodit Penal, të kryera në dëm të viktimës, ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj, e moshës 23 vjeçe

Shtetasi Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kanë lidhur martesë në vitin 2017, martesë nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre. Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti Elton Bengaj ndaj Sabrinës e cila së bashku me vajzën e mitur është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier.

Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Eltoni Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës.

Rezulton se, ai ka kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020.