Scholz: Njohja e Kosovës, pjesë e dialogut.

Përpjekjet e Gjermanisë për të rinisur dialogu Prishtinë-Beograd kanë përfunduar me një darkë joformale, Kurti-Vuçiç-Lajkçak. Ishte Presidenti serb ai që publikoi fillimisht një foto para darkës, ndërsa një tjetër foto do e publikonte edhe i dërguari i BE për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili bëri të ditur gjithashtu se palët kishin rënë dakord që takimi zyrtar i dialogut të mbahej më 13 Maj në Bruksel.

Para kësaj darke Kancelari gjerman, Olaf Scholz takoi ndaras liderët e Kosovës dhe Serbisë nga të cilët kërkoi vazhdimin e dialogut, ndërsa marrëveshjen përfundimtare e ka cilësuar të rëndësishme e që i hap rrugë të dyja vendeve për integrim në BE.

“Kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që do të arrijnë të dyja vendet dhe janë shumë detaje por natyrisht këtu bënë pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej shumë kohësh, pra njohja e Kosovës. Këto janë tema të cilat kërkojnë strategji të shkurtra apo të gjata por të gjitha duhet të bëhen shpejt. Prandaj japim mbështetjen tonë në këtë drejtim dhe ofrojmë kuadër që kjo të arrihet”.

Kryeministri Kurti e ka ftuar Kancelarin gjerman për një vizitë në Kosovë.

Ndërsa pas takimit me Presidentin serb Aleksander Vuciç, Scholz i ka kërkuar Vuçiçit që të rreshtohet me BE-në për Ukrainën dhe të ruajë stabilitetin e Bosnjes si dhe të respektojë të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut. 

“I kam premtuar Scholzit se Serbia nuk do të jetë shkaktare e asnjë problemi dhe ne e mbajmë fjalën”.

Takimi në Berlin ndodhi rreth 10 muaj pas takimit që kishin zhvilluar në Bruksel Kurti e Vuçiç.