Deputetët e Partisë Demokratike janë treguar sërish të ftohtë në vendimmarrjet në lidhje me krizën në selinë e PD-së.
Rreth një javë më parë, pasi shumica e konsiderueshme e deputetëve refuzuan t’i bashkoheshin Kuvendit të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, pasi pretendonin se po përballeshin me arrogancë nga anëtarët e Rithemelimit dhe ishin lënë jashtë procesit të zgjedhjeve në degë.
Ndërkohë, të mërkurën në mbrëmje, kreu i Grupit të PD-së, Enkelejd ALibeaj, u dërgoi mesazh deputetëve për të mbledhur grupin dje në mbrëmje. Fokusi i diskutimit ishte diskutimi në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Pas këtij mesazhi, disa prej deputetëve reaguan publikisht, ndërsa të tjerët duket se e rezervuan reagimin me akte.
Kështu, anëtari i Komisionit të Rithemelimit, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Grupit të PD-së, Luçiano Boçi, doli dje në një deklaratë ku tha se Alibeaj nuk ishte konsultuar me kryesinë e grupit për të vendosur për mbledhjen.
“Zoti Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve, të cilët e kanë shkarkuar atë në Kuvendin e datës 30 prill. Së dyti, mbledhjen e grupit e thërret Kryesia e Grupit dhe jo një deputet, qoftë ai i njohur nga Rama si përfaqësues grupi. Prandaj, nga ky moment, kërkoj në ditët në vazhdim thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Grupit, për të diskutuar e vendosur për mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Grupi parlamentar i PD-së nuk mund të mblidhet sa herë e kërkon e kur e kërkon RamaBalla. Ne nuk mund të shkojmë pas qerres së Ramës, çfarëdolloj pamje të ketë ajo. Këtu nuk bëhet fjalë për bojkot. Koha e bojkotit dhe e pazareve ka perënduar. Qëndrimin politik në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit e vendos Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimmarrës politik pas Kuvendit dhe e pasqyron në qëndrim Grupi Parlamentar”, tha Boçi dje.