Hyri në banesën e një shtetaseje, tentoi të kryente marrëdhenie seksuale me dhunë me të dhe goditi me thikë djalin e saj, vihet në pranga 30-vjeçari.
Sekuestrohet një armë gjahu (çifte), që u gjet nga Policia, në banesën e këtij shtetasi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër, pas kallëzimit nga një shtetase 48 vjeçe, se një person i paidentifikuar kishte hyrë në banesën e saj, kishte tentuar të kryente marrëdhenie seksuale me dhunë me të dhe në momentin që kishte arritur djali i saj, në banesë, e kishte goditur me thikë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta, kanë grumbulluar të gjitha informacionet dhe në përfundim të veprimeve hetimore kanë bërë identifikimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
K. G., 30 vjeç, banues në Shkodër, me precedent të mëparshëm penal për kultivim bimësh narkotike, ngacmim seksual dhe vjedhje.
Ky shtetas ka hyrë në banesën e 48-vjeçares dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Gjithashtu, 30-vjeçari ka goditur me thikë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta fizike, djalin e kësaj shtetaseje, shtetasin Sh. R., 26 vjeç, i cili pasi ka mbërritur në banesë, gjatë ndërhyrjes për ta ndaluar shtetasin K. G. është konfliktuar fizikisht me të.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. G., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu, pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme